Basha pas tragjedisë në autostradën “Ibrahim Rugova”: Faktet do t’i japë raporti i Policisë

PRISHTINË – Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha, ka reaguar pas aksidentit fatal që ndodhi së fundmi në autostradën “Ibrahim Rugova”, duke kundërshtuar pretendimet se ngjarja lidhet me rrëshqitjet e dheut në këtë autostradë.
Përmes një reagimi publik, Basha ka bërë të ditur se Ministria ka nënshkruar kontrata për sanimin e plotë të skarpatave në tri segmente të autostradës dhe se nuk bëhet fjalë vetëm për largimin e dheut nga rruga.
Sipas tij, autostrada ka qenë e pastruar në momentin kur ka ndodhur aksidenti tragjik.
“Autostrada ka qenë e pastruar nga dheu në momentin kur ka ndodhur aksidenti tragjik. Ne po presim raportin zyrtar të Policisë së Kosovës dhe refuzojmë të bëhemi pjesë e manipulimeve politike që tentojnë të përfitojnë nga tragjeditë njerëzore”, ka deklaruar Basha.
Ai ka akuzuar kundërshtarët politikë për keqinterpretim të situatës dhe ka kërkuar që të priten gjetjet zyrtare të organeve kompetente para nxjerrjes së përfundimeve.
Ministri ka shprehur ngushëllime për familjen e viktimës, duke theksuar se tragjedi të tilla nuk duhet të shfrytëzohen për përfitime politike.
Ndërkohë, raporti zyrtar i Policisë së Kosovës për shkaqet e aksidentit ende nuk është publikuar.
Ke një lajm për ne?
Dërgo informacionin — ekipi ynë e verifikon dhe e publikon.