Eko Llapi vazhdon punën në terren pavarësisht temperaturave të larta

PODUJEVË – Temperaturat e larta të ditëve të fundit kanë vështirësuar punën në terren, por nuk e kanë ndalur angazhimin e punëtorëve të NPL “Eko Llapi” Sh.A., ndërmarrje publike e themeluar nga Komuna e Podujevës për ofrimin e shërbimeve të mirëmbajtjes.
Sipas planit operativ, ekipet e Eko Llapit po vazhdojnë çdo ditë aktivitetet e pastrimit, mirëmbajtjes së hapësirave publike, gjelbërimit dhe kujdesit për infrastrukturën publike në qytet dhe fshatra.
Punimet po zhvillohen në shumë lokacione, përfshirë plazhet e Liqenit të Batllavës, Parkun e Pishave, hapësirat përreth Teatrit të Qytetit, parqet publike, shtratin e Lumit Llap dhe zona të tjera me frekuentim të lartë nga qytetarët.
Përveç mirëmbajtjes së gjelbërimit dhe pastrimit, ekipet e Eko Llapit po kujdesen edhe për funksionimin e rrjetit të ndriçimit publik. Punëtorët e kësaj njësie reagojnë vazhdimisht ndaj rasteve të paraqitura, duke siguruar që rrugët, sheshet dhe hapësirat publike të mbeten të ndriçuara dhe të sigurta gjatë natës.
Nga ndërmarrja theksojnë se përkushtimi ndaj qytetit dhe qytetarëve mbetet i pandryshuar, pavarësisht kushteve atmosferike, me synimin që Podujeva të jetë një qytet më i pastër, më i gjelbër dhe më i organizuar.
Ndërkohë, apelohet edhe tek qytetarët që të kontribuojnë në ruajtjen e pastërtisë dhe mirëmbajtjen e hapësirave publike.
Një qytet i pastër dhe i planifikuar është përgjegjësi e përbashkët e institucioneve dhe qytetarëve.








