Kolona të gjata në rrugën Prishtinë–Podujevë, qytetarët kërkojnë përshpejtimin e punimeve

PODUJEVË – Kolonat e gjata të automjeteve në rrugën Prishtinë–Podujevë, veçanërisht në afërsi të urës në Vranidoll, po vazhdojnë të shkaktojnë vonesa dhe frustrim tek qytetarët që e shfrytëzojnë këtë aks rrugor çdo ditë.
Shumë qytetarë ankohen për pritje të gjata në trafik, sidomos gjatë orëve të pikut, dhe kërkojnë nga institucionet përgjegjëse që punimet të përfundojnë sa më shpejt.
Ky projekt rrugor ishte planifikuar të përfundonte vite më parë, ndërsa realizimi i tij është përcjellë me vështirësi të shumta. Sipas autoriteteve, gjatë zbatimit të projektit janë hasur probleme të trashëguara nga fazat e mëhershme, përfshirë çështjet e shpronësimeve, kompensimet e papërfunduara dhe mangësitë në dokumentacionin projektues.
Qeveria ka bërë të ditur se rruga po ndërtohet me lote dhe se gjatë realizimit është dashur të adresohen një sërë problemesh teknike dhe administrative për të siguruar një zgjidhje afatgjate dhe sipas standardeve bashkëkohore.
Duke qenë se bëhet fjalë për një nga rrugët më të rëndësishme që lidh Podujevën me Prishtinën dhe pjesën tjetër të Kosovës, projekti përfshin elemente të rëndësishme infrastrukturore si rrethrrotullime, kyçje të reja rrugore, nënkalime dhe ura, me qëllim rritjen e sigurisë dhe lehtësimin e qarkullimit në të ardhmen.
Ndërsa qytetarët vazhdojnë të përballen me kolona dhe vonesa, mbetet shpresa që punimet të avancojnë me ritme më të shpejta dhe ky projekt të përfundojë sa më parë në interes të banorëve të Llapit dhe të gjithë përdoruesve të kësaj rruge.
Foto: Llapianet
Ke një lajm për ne?
Dërgo informacionin — ekipi ynë e verifikon dhe e publikon.