Llapjani që po e zbukuron Podujevën me investime milionëshe

PODUJEVË – Në një kohë kur shumë të rinj po largohen nga Kosova në kërkim të një jete më të mirë jashtë vendit, ka edhe nga ata që suksesin e krijuar në mërgim po e kthejnë në investime konkrete për vendlindjen.
Njëri prej tyre është biznesmeni llapjan Faton Blakqori, i cili përmes kompanisë Leon Holding po realizon projekte që po ndryshojnë pamjen e Podujevës dhe po vendosin standarde të reja në ndërtim.
Nga transformimi i objekteve të vjetra në qendër të qytetit deri te projektet moderne si Blakqori Residenz dhe Golden Tower, investimet e tij po sjellin zhvillim, vende pune dhe një identitet të ri urban për Podujevën.
Një nga projektet më të rëndësishme është rikonstruktimi i objektit të njohur në qendër të qytetit, i cili për vite kishte mbetur i papërfunduar. Tashmë, me investimet e reja, kjo hapësirë pritet të shndërrohet në një objekt modern banimi dhe afarizmi që do t’i japë qendrës së Podujevës një pamje krejtësisht tjetër.
Po ashtu, punimet në Golden Tower po vazhdojnë me ritëm të lartë, duke e bërë atë një nga projektet më ambicioze që janë realizuar ndonjëherë në Llap.
Këto investime nuk përfaqësojnë vetëm ndërtesa të reja. Ato janë investime në ekonominë lokale, në zhvillimin e qytetit dhe në të ardhmen e Podujevës.
Ky nuk është një artikull i sponsorizuar. MËRGATA po e publikon këtë histori si një shembull pozitiv të një mërgimtari që nuk e harroi vendlindjen, por vendosi të investojë në të dhe të kontribuojë në zhvillimin e saj.
Shpresojmë që shembulli i Faton Blakqorit të frymëzojë edhe investitorë të tjerë nga diaspora shqiptare që të shohin Kosovën jo vetëm si vendlindje, por edhe si vend mundësish dhe zhvillimi.



